Nga ditari i së premtes

19 Janar, 2018 - 10:11 pm

Poezi e shkruar nga Azem Shkreli.

Natën e mirë, asgjë s’mundi të ndodhë
gjithë ditën, mezi qe e premte, mezi lindi
pak diell vonë pasdreke sa të jetë
data katërmbëdhjetë, sa të flenë
mbi barin e urtë të Tafr Toskës
xixëllonjat, natën e mirë mundime
sendesh të vogla, flini,

unë sonte
vetëm do ta vë një gur fjale nën kokën
e lodhur të ditës, vetëm ujë të verdhë
do të derdh për shëndetin e bimëve
të verdha

e do t’vete se asgjë s’mundi
të ndodhi pos të jetë e premte sa të flenë
mbi barin e urtë të Tafr Toskes

xixëllonjat, datë e lënguar, nëse fyshkesh sate
s’do të përshkohesh lakuriq si krimbi
date e lënguar, po të le mes numrash
harrimit po të lë dhe vetë po nisem
një mendimi qe s’na e fle moshën të premteve.

Të ngjajshme