Nisja e shqiptarëve për në luftë

25 Shkurt, 2022 - 8:00 pm

Poezi nga Ismail Kadare

U nisën për luftë, ,,bënë tutje”,
Pa fjalë të mëdha e pa këngë,
Me opingat me xhufka të kuqe
Si me zjarre të vegjël mbi këmbë.

Ikën larg që të gjenin armikun.
Çdo armik, në çdo breg, që ta gjesh.
Kaq të thjeshtë luftën e kishin,
Sa që ,,tutje” e quanin thjesht.

Në çdo anë që të ecnin, patjetër
Do t’u dilte diku midis shqotës,
Ajo ishte për ta pjesë e jetës,
Ish përmasa e katërt e botës.

Dhe kur binin në prille a në vjeshtra
Nëpër brinja të shtrirë, nëpër lugje,
Si me zjarre të vegjël të përjetshëm
Era loste me xhufkat e kuqe. / KultPlus.com

Sygma via Getty Images

Të fundit

Të ngjajshme