Një orë e gjysmë liri

20 Prill, 2020 - 7:03 pm

Poezi nga Sali Bashota

Shteti ynë i dashur
I respekton të drejtat e njeriut
Në çdo njëzet e katër orë
Liri falas një orë e gjysmë
Me u shastisë duke shëtitur vetminë
Kur rendi përcaktohet shumë saktë
Nga numri i parafundit i letërnjoftimit
Liri falas një orë e gjysmë

Asnjë sekondë më tepër
Në çdo të tretën ditë
Ndërron orari i lirisë
Me dekret për të panjohuren
Që mund të na gjejë kudo
Edhe në ëndrra të bukura

Edhe pa ia ofruar dorën askujt
Vetëm për ta kënaqur mallin e syve
Në çdo njëzet e katër orë
Liri falas një orë e gjysmë
Mjafton sa për ta qetësuar frikën
Mjafton sa për t’i shëtitur shpirtrat
Nëpër trotuaret e qytetit bosh
Derisa prapë t’i vijë rendi secilit
Për t’u bërë i lumtur me vetveten
Si njerëz të shndërruar në numra
Në çdo njëzet e katër orë. / KultPlus.com

Të ngjajshme