15 Shtator, 2024 - 7:31 pm
Poezi nga Charles Bukowski
një poezi është një qytet plot rrugë dhe puseta
plot me shenjtë, heronj, lypësa, të marrë,
plot me banalitet dhe me gjëra për t’u pirë,
plot me shi dhe bubullimë dhe me periudha
thatësire, një poezi është një qytet në luftë,
një poezi është një qytet që pyet një lavjerrës pse,
një poezi është një qytet që digjet,
një poezi është një qytet nën bombardime
sallat e saj të berberëve plot me sarhoshë cinikë,
një poezi është një qytet ku Zoti kalëron
nëpër rrugët si Lady Godiva,
ku qentë angullijnë natën, e bëjnë flamurin
t’ia mbathë; një poezi është një qytet me poetë,
për me tepër shumë të ngjashëm mes tyre
e lakmiqarë dhe plot me ankime…
një poezi është ky qytet tani,
50 mile nga asgjëja,
9, 09 e mëngjesit,
shija e pijes dhe e cigareve,
as policë as të dashuruar që enden rrugëve,
kjo poezi, ky qytet, që kyç dyert e veta,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
i përzishëm pa lotë, i plakur pa mëshirë,
me malet plot shkëmbinj të ashpër,
me oqeanin si një flakë trumze,
një hënë e privuar nga madhështia,
një muzikë e lehtë dritaresh të thyera…/Kultplus.com