Një sonet i Dritëro Agollit për motrën Nazime

3 Shkurt, 2018 - 12:55 pm

Kur ndërroi jetë Nazimja, motra e Dritëro Agollit, shkrimtari u dergj në vaj me vargjet e tij.

Agolli, të cilin sot po e kujtojmë në përvjetorin e parë të largimit nga jeta, shkroi këto vargje pasi vdiq Nazimja.

Motrës, Nazimes, që mbylli sytë dje, në udhëtimit e saj të fundit, shkruan Agolli në shtatorin e vitit 2016-të.

Kjo rreze drite
– sonet –

Kjo rreze drite njëlloj si ajo që pat rënë
Në mur të shtëpisë në perëndim,
Kur vija me barrën e druve pa ngrënë
I lodhur, i mbajtur për bishtin e kalit tim.

Si turtull rrihte krahët dielli pas kodrës,
I shtyja këmbët e mpita si gur
Gjersa i dërrmuar rashë në krahët e motrës,
Tek rrezja e diellit binte në mur.

Kjo rreze drite në mendje më solli
Atë të dikurshmen rreze mbi mur në shtëpi.
Dhe sot në dritare e pashë motrën kur doli
Rrugicës pas murit nga një farmaci
Me pallto të vjetër diçka së largu më foli,
Po fjalën e saj s’e dëgjoi asnjeri.

(e pabotuar…)

Të ngjajshme