2 Maj, 2025 - 4:51 pm
Poezi nga Majlinda Bregasi
Fqinja ime më dhuron një trëndafil
sa herë kthehem nga rruga.
E lodhja pa pandehur më shtrohet
petale të kuqe në duar
Intrigat në kërcej të prerë shtrembër.
Ndërskamjet në gjemba të harruar.
E unë as vetë s’e di
Si s’më kujtohet më
gjithë ajo rrugë e gjatë e lodhshme
E ngjitur pas këpucëve tërë pluhur.
Fqinja ime më tregon kopështin
sa herë më shikon nëpër shkallë
Këtë vit mëllagat janë më të mira
e zambakët e bardhë nuk kanë të mbaruar.
Pastaj pret një trëndafil të kuq
si ai që më dhuroi sot në mëngjes
teksa i jepja pakon e Amazonit
që i kish ardhur për të birin.
Fqinja ime e mirë buzëqesh
sa herë unë i thërras në emër
Në sy i lulëzon harresa
në duar i vyshken ditët
që kanë filluar vallëzimin së prapthi
ndërsa ajo pret një trëndafil të kuq
Si ai që më dhuroi një orë më parë
e unë i them sërish
Për të pestën herë vetëm sot
O Zot sa aromë fëmijërie!
E fqinja ime e urtë mbushet frymë
Mbyll sytë
ngre supet
si fëmija në ditën e parë të shkollës
që mezi pret të zbulojë botën e madhe
që asaj tashmë i lulëzon në duar
në një trëndafil të kuq
Të njëjtin që e harron sa herë i kthej shpinën.