Ode mocanikëve

21 Janar, 2019 - 2:32 pm

Nora Prekazi

Na s’jemi gjeneratë që u mbështollë me shami t’kuqe
as s’jemi gjeneratë e internetit
s’përjetum as kinematë, ballot, matinetë, shtafetat, kitonet 
e as sletin në hapësira t’qytetit.

Na jemi gjeneratë e pafat
që kurrë n’dyqane s’blemë pllaka muzikore, 
as si arritëm bendet rokn’rroll, as modën avangarde nëpër qytet.
Na u msum mi pa prindërit e papunë
tu u gjind nëpër dyqane t’vocrra, 
tu u marrë me naj shverc në t’zezë, 
me naj vajtje-ardhje në Bullgari a Turqi.

Na jemi gjeneratë e pafat
Kurrë se patëm mundësinë me hyp n’tren
e me shku me ble naj gjemper n’Itali, 
shumica s’pamë ma larg se nja katër shtete fqinje.
As gjeneratë e grunge-it, 
as e jakneve t’lëkurës e këmishave me kutija.
Biles as qato lokale me njerëz e muzikë interesante 
s’na ra me i pa as me i ndi kurrë
as me i ikë racive t’vazhdueshme t’milicisë.

Na jemi gjeneratë e pafat
ishim fëmijë gjatë luftës 
jo krejt t’vegjël sa mos me mbajtë n’mend, 
po qaq t’rritur sa me kujtu krejt…
tu u rritë në një qytet t’ndamë,
me plot protesta, dhunë e uniforma t’ushtrive t’ndryshme, 
tu e pa qiellin plot me helikopterë, 
e urën plot me flamuj, barrikada e gazetarë

Na jemi gjeneratë e pafat.
Me neve fillun me u ri-shfrytëzu shkollat 
e orët e mësimit i patëm ka 20 minuta,
e bile edhe kompjuterin e internetin i mësum veç n’libra.

Na jemi gjeneratë e pafat.
Pjesë e një gjysmë vendi, tu u zhbo dita ditës, 
Tu ju tretë nami, e tu i hup trajta.
Na, pak e hiç e shijum veriun, po se shijum as jugun.
Na mbetëm në hijen e atëherëshit tu e lyp qytetin,
tu pritë me nisë diçka.
gjithë, tu pritë…

Na jemi gjeneratë, t’konsiderum me fat,
se t’vaktit të lirisë.
Me neve u rimarun shpijat, mahallat, sheshet 
ku u vnun bustat e heronjëve të rinjë.
Tu u mundu me ngjitë grimcat e katrahurës
që na u dha peshqesh
e me mbjellë diçka pa rranjë, 
me shpresë se diçka e mirë ka me u mbi. /KultPlus.com

Të ngjajshme