Parisi, vendlindja

3 Janar, 2018 - 3:50 pm

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja

Do të hyjmë në Paris
gurin tonë aty do ta ngulim,
nuk do të na presë Teuta, Genti,
nuk do të na presë hordhi e egër romake,
nuk do të na presë njeri i gjallë.

Në Paris do të hyjmë;
ëndrrat do t’i varim në krahë të lejlekëve
te një krua do t’i lajmë sytë, duart lythore,
do t’i lëmë netët ballkanike pas shpine
vallet, këngët, baladat, përrallat,
vetëm fyellin do ta marrim
t’i biem kur të na rrokë malli,
kur humbim në grumbullin e klosharëve,
të hijeve,
të minjve,
deri vonë rrugëve të Parisit në metro marramenthi:
do t’i marrim erë ftoit të vendlindjes
për kohët pis do të flasim me gishta,
nuk do të shkelim asnjë mizë,
nuk do të trembim asnjë zog,
nuk do të derdhim zjarr, vrer,
mbi kokë të njeriut,
Evropës së përgjumur s’do t’i përulemi
as perëndive të krisura.
Ma jep besën, Lum Lumi,
se nuk do të harrojmë vendlindjen.

Paris, maj 1981

Të ngjajshme