‘Pas katër ditësh do jem në Moskë…’

6 Prill, 2021 - 7:54 pm

Nga Nazim Himet

Përktheu Edon Qesari

Berlin

Pas katër ditësh do jem në Moskë.

Kjo largësi është veç rrugë nën shi.

Do vijnë lajme,

kokë e këmbë do jepem, nxitimthi,

drejt horizotesh të reja.

Pas katër ditësh do jem në Moskë.

Në Moskë është pranverë,

më the në telefon.

Dhe kjo largësi kaq e pat’,

për fat.

Do kthehem.

Në gjirin tim, veç nata e kësaj largësie.

Në gjirin tim, vetmia jote.

Vetmi:

kothere kujtimesh që s’e shuan oreksin.

Në Berlin, në dhomën time të hotelit, ndrit dielli.

Në Berlin, pëshpërima qull e zogjve

– se sot ra shi –

pastaj trami,

pastaj koha.

Koha nuk tundet nga vendi.

E ngurtë, e akullt.

Aq sa mund ta varësh mbi mur, kohën.

E ta presësh me thikë.

Jam në një qeli,

me xhelaten më mizore:

kohën.

Në Berlin, dhomën time e ka pushtuar dielli.

Dhe pas katër ditësh do shkoj në aeroport.

Në kaltërsi. 

Moskë

Nën shi ecte pranvera

me këmbët e saj thatime dhe të gjata mbi asfaltin e Moskës

kyçur mes rrotash motorësh basmash lëkurash

kardiogrami im paraqitej si mos më keq atë ditë

çka pritet do të vijë një ditë kur s’e pret

do të vijë në vetmi

pa terhequr pas vetes

ata që tashmë janë nisur

luanin koncertin e parë të Çiajkovskit nën shi

do të ngjisësh shkallët pa mua

një zambak gjendet në katin e fundit të shtëpisë në ballkon

nën shi ecte pranvera

me këmbët e saj thatime dhe të gjata mbi asfaltin e Moskës

je ulur mu ballë meje nuk më sheh

i buzëqesh një trishtimi që tymos diku larg

pranvera të largon nga unë të shpie tjetërkund

e një ditë nuk do të kthehesh më do të humbasësh në shi./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme