‘Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira’

11 Korrik, 2022 - 9:30 pm

Poezi nga Rozafa Shpuza

Rrëfim n’vetë t’parë

N’jetë erdha at’ verën e rreshkun
që u njom prej ujnave të zgrip-lindjes
e u trand prej ulërimave amësore
të denja për nji arie perfekte.
Im atë m’njiti emën legjendash,
kurse nana m’dha cicë deri sa nisa me ndenjë taaa…
Anipse qava n’kupë t’qillit,
gjyshja kambënguli me m’lidhë n’shpërgaj
e kambët m’i zhyti n’sheqer kur lindi im vëlla.
U rrita me marsh paradash e brohorima t’mnershme
e për mbarësi më hodhen uje diten e parë të shkollës.
Çdo verë lava n’oborr qylymin me thakë t’grimë tejet
tue kërcye zbathët sipër tij
si n’ceremonitë pagane.
Ndër fletore matematike shkruva ditar
e për dashnorët naivë përdora iniciale
që tash kot lodhem me i çkodue…
Ju recitova poezi nxanësve t’nji shkolle ndër male
diku mes reales dhe absurdes
mandej i qindisa n’gjergjef tana dëshirat
si me dashtë me i ba zapt n’atë rreth t’tendosun
si nofllat para vajit…
Për ditëlindje nuk ndeza kurrë qira
prejse i druhesha joshjes se mirazheve
t’krijueme prej flakës së tyne t’rrejshme.

N’jetë edha at’ verën e rreshkun
njajtë me këtë t’simjetshmen
kur gjinkallat konkurrojnë me kangtaret e afisheve t’shkyme
e une shuej etjen me krriklla kabahe birret
n’lokalin me nji shkronjë mangut n’tabelë… / KultPlus.com

Të ngjajshme