Për kangët qi harrohen dita-ditës, fjalët e të cilave dikur kanë jehue

26 Nëntor, 2021 - 6:55 pm

Poezi nga Plator Gashi

pa dyshim se
sot janë shkrue shumë poezi
me titullin “bora e parë në dhé të huej”
ku asht folë e asht tjerrë gat
për gacat e vagullta të votrës
qi e mbajnë insanin nxehtë
aty ku menxi shkrep qibriti;

për miq të largët qi
janë ba mukajet në çdo herë të motit
kur s’ka punue as kryet, as dora —
qi janë rrekë me çupuritë zjermin
kur dyjesë i ka ra mardha;

për vetminë në rrugë të reja
me kulme të thepisuna neobaroke
qi, sado të bukra,
ia nxjerrin njérit rropullitë hap mbas hapi
e tingujtë e guhëve të huja
lundrojnë në vrotomet e gjakut
qi jesin mbrapa;.

për kangët qi harrohen dita-ditës
fjalët e të cilave dikur kanë jehue
nëpër ajri dhe
avujt e rakisë ku kanë pluskue
hokat tona të papasoja
e dëshirat irreale
për me ia hangër njani-tjetrit zemrën;

për nanë, për babë, për kusherij
për kujtime sa të ngrohta, aq edhe të zbehta
për xiglitjen e barit të oborrit në themër.

pa dyshim se
janë shkrue shumë të tilla sot,
“bora e parë në dhé të huej”
edhe mirë bajnë qi shkruejnë,

po unë s’po kam takat me përsiatë
e me mendue
qysh këto tufa fraktalesh,
qi dikur kanë ra në ftyra të dashtunish
e janë shkri në procese ngrykimesh,
dijnë me t’mbush me kaq shumë vner.

“bora e parë në dhé të huej”
shpresoj qi krejt këto poezi
qi janë shkru sot
botohen në ni përmbledhje,

pos kësaj.
kte po e baj kruspull
e po e gjuej në voter
për me i dhanë pak hez zjermit./KultPlus.com

Të ngjajshme