‘Për vdekjen, nuk është e nevojshme asnjë poezi’

21 Prill, 2022 - 6:45 pm

Shpëtim Selmani

Për

Kapitalistët dhe problemet e tyre le të shkruajnë
Poetët kapitalist,
Për të varfërit dhe hallet e tyre le të shkruajnë
Poetët e varfër,
Për epshin e ushtarit në frontin e lindjes
Le të shkruajë poeti me snajper në duar,
Për artin bashkëkohor dhe rruazat ne penjë,
Le të shkruajnë vetë ata,
Për paqen dhe rrezikun e përjetshëm,
Le të shkruajnë poetët e paqes, nëse ka,
Për dashurinë, le të shkruajnë kërmijtë
E ngjitur njëri me tjetrin,
Për politikën, jo faleminderit, nuk ka nevojë,
Për kuptimin e jetës, ndonjë fjalë aty këtu
Nga secili prej nesh,
Për seksin le të shkruajnë lisat e pranverës
Që gjallërohen,
Për vdekjen, nuk është e nevojshme asnjë poezi,
Le të shkruajnë të gjithë për atë që është e tyrja,
Nuk ka nevojë të ngatërrohen gjërat dhe
Të shqetësohen kot,
Ka mjaft preokupime të vërteta
Për secilin prej nesh,
Mjafton ta gjeni atë dhe të jeni
Si një nëndetëse që ulërin nëpër
Ujëra. / KultPlus.com

Të ngjajshme