Përgjegje

6 Shtator, 2019 - 12:30 pm

Poezi nga Sergej Jesenin
Përktheu: Esad Mekulin

E dashtuna loke,
jeto si të mundesh,
butësisht e ndiej dashuninë tande
dhe kënaqem me te .
Por, vetëm ti
nuk mund ta dijsh
se si jetoj
e ç’jam tue ba n’kët dhe!

Te ju a dimën tash.
Dhe hana kur lind mbi katund
e dij, jo vetëm ti,
natën, nën kodër, mendon
se gjoja dikush
qershin e bardhë e shkund
dhe dritaret tona
me borë i mbulon.

O nanë! Si të flej
n’gjamën e stuhisë?
N’tymnajë aq pikllueshëm
klithmë mbas klithme buçet.

Dhe don t’bijsh
e nuk sheh shtrojën e butë
po arkën e ngushtë
dhe – vorrimin e vet.

Edhe si mija
priftën t’shëmtuet
uluron stuhija –
dhe si me u tallë!

Dhe flluskat bijnë
si metelik, butë,
e mbas arkivolit
as grueja, as shoqnija!

Mbi çdo gja n’botë
pranverën e due.
I due lumejt
kur turren më hap, azgën –
kur çdo kashtëz
shkon tue u rrot’llue
dhe shtrihet hapsina
sa syni nuk e zen.

Por ajo pranverë
të çilën e dëshroj,
Revoluçion i madh
i them!
Përvuejshëm vetëm atij
unë lutje i baj
dhe vetëm ate
e thrrasë, e gjurmoj!

Por kjo shëmtimë –
planet i ngritë!
Jo, as dielli Lenin ate
me ngrohë – pse m’e mshehë!
Prandej me shpirtin
e madh t’poetit
fillova me skandale
me pi e ba qejf.

Po, ka me ardhë koha,
e dashtuna lokja ime!
Ka me mrri: me te dhe feja e re vjen!
Pse kot
s’kemi rrokë armën e drashtun:
Dikush – topin
e tjetri – pendën.

Harroji t’hollat
dhe çdo gja që s’asht lavdi.
O, sa turp’i madh!
Ashtu je ti a thue?
Unë nuk jam gomarë,
as lopë, as maz kërthi
që prej ahri
lehtë me m’nxjerrun mue!

Vetë kam me dalë
kur ditët vala i bjen,
të qëlloj në planet
dhe unë, ndërtues i vjetër!
Atëherë, tue u kthye,
shallin djali ta blenë,
po edhe babës
ato sende – patjetër.

Për tash era s’pranë…
Si mija priftën të zi
uluron stuhija
dhe si dhe me u tallë!
Dhe bora rritet
Flluskë mbi flluskë, të butë
e mbas arkivolit
as grueja, as shoqnija.

(1924)

Kjo poezi është përgjigje e autorit për poezinë “Letra e nanës” të cilën KultPlus ju solli pak më herët: https://www.kultplus.com/poezi/letra-e-nanes/?fbclid=IwAR176NrREaG3qucQIbToih5mcmnC2HmXQIkZc8OBeGgvaq_goVTk7_Km3P0

Të ngjajshme