‘Përse ta lidhësh fatin tënd, me një pafat si unë’

26 Janar, 2022 - 10:20 pm

Poezi nga: Mitrush Kurteli

Sime Shoqe

Kaq afër jemi, por kaq larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?

Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.

Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.

Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme