29 Korrik, 2025 - 11:11 pm
(Gjiri)
I NANËS
përse, vdekje
ku tambli prekë tokën mbinë lufta
ku tamblit i sosë gjaku
gufon gjak
mendo me zë,
vdekje
veç kur kësisoj bën
nuk ma punon pas shpine
o, gjithçka që ke shpikë ndodhet nën dhé.
ke ardhë në çast të fundit, vdekje
“nanë” tingëllon si gojë e mbushur gji
të vetëdijshme janë për të tyren
vdekje
shterru,
gji morti ku gojën lagë –
aty ku s’ka tambël
s’ka as lot
as vdekje
LINGUA
(Gjuha)
Epimenidi, kretan, thotë që të gjithë kretanët rrejnë
(kurse Epimenidi është vetë kretan)
për rrjedhojë, s’është e vërtetë që kretanët rrejnë
pra, Epimenidi thotë të vërtetën
pra:
të gjithë kretanët rrejnë
Mandra, ciganesha, thotë që të gjithë ciganët vdesin
(kurse Mandra është vetë ciganeshë)
për rrjedhojë, është e vërtetë që ciganët vdesin
pra, Mandra thotë të vërtetën
sepse Mandra është grua
dhe e pavdekshme
* * * (LIRIA) * * *
Liria ashtu si gozhda,
nuk e di se si duket druri në anën tjetër
nëse në anën tjetër s’është syri
Liria ashtu si kungimi
nuk e di kush ka jetuar për bukë e ujë
përderisa nga varri të mos i pikojë vaj i shenjtë
Liria, sikurse fjala,
s’mund ta bëjë të plotë vajtimin
(liria ime, jepmë sy që gjuhën mos ta grijë)
ai që s’e ka dikënd
varroset me shpenzimet e Tokës
pa dyshim
• Tijana Rakoçeviqi (1994) është poete, eseiste dhe dramaturge nga Mali i Zi. E shpërblyer dhe përkthyer disaherësh për cilësitë e saj letrare.
• Shqipëroi: Argëzon Sulejmani