Po qan dikush, dikund…

1 Dhjetor, 2017 - 8:24 pm

Poezi e shkruar nga Trëndafile Visha.

Dikush po qan përsipër, dikund…
Dikush i hidhëruar nga njëra brinjë në tjetrën
Nga gishti i vogël i këmbës deri në fijen më të gjatë të flokut
Mbase një nënë
Mbase një vajzë

Mbase një foshnje e larguar që ka të 40-at
Ndoshta dhe një burrë, fundosur syve e zemrës
Ndoshta një plak i harruar
Ndoshta të tërë bashkë, zemëruar në të gjitha kohët e kohës.
Dikush po qan përsipër, dikund…
Dikush i bërë akull në një cep rruge, varur nën mjegull a nën re
Askush s’e pyeti se çfarë kishte, por dhimbjen ia nxorën jashtë
E pastaj qeshën me të si pa të keq
U gajasën, u gajasën, u gajasën
Dhe në gajasjen në kor të të çmendurve një zemër u ça!
Tani në këtë çast
Në këtë orë
Në këtë ditë
Në këtë mbrëmje
Ndalini lumenjtë e kripur po mundët

Të atij brenda nesh që asnjëri prej nesh s’e desh, s’e pa.
Dikush po qan përsipër, dikund…
Dikush që botën e të marrëve me lot e klithma po shkund…

Të ngjajshme