Poem kosovar

12 Qershor, 2020 - 8:49 pm

Poezi nga Mitrush Kuteli

Kënga e parë: Qëndrimi

Jam kosovar
pra jam shqiptar:
Zot e krenar,
– Zot e bujar
mbi këtë Dhe
q’e e kam si fe;

E kam Vatan!
e kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brezi,
që gjithëmon!

Ti shkja thërret,
ti shkja bërtet,-
gjer lart në retë;
se jam barbar.

Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.

Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.

Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri;
Kur nga një det në tjatrin det
Isha zot vet!

Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.

Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri!

Të ngjajshme