Poeti plak

3 Shkurt, 2018 - 11:38 am

Poezi e shkruar nga Dritëro AGOLLI

Dhe shkruaj i heshtur vjersha pak e nga pak
Fshehur prej gruas dhe tinëz të tjerëve,
Se fshehur flasin: “Iku nga mentë ky plak!”

I ulur diku në një qoshe fletorkën e mbaj
Mes gjunjëve kockë e lëkurë e tinëz të tjerëve,
Tek pi si Firdusi të hidhurin çaj.

Dhe kur më zhurmon së largu një çap,
Atje ku tulitem tinëz të tjerëve,
E fsheh fletorkën dhe veshët i hap.

Ç’ti bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg
Larguar prej gruas e tinëz të tjerëve,
Kur të lajthiturit çirren: “Mbyll gojën, ti plak!”

Ah, dua t’i them ato që s’i thashë dikur,
Ndaj kohën e shtyj mes vargjeve tinëz të tjerëve
Diku në një qoshe veçuar si gur.

Rri shkruaj veçuar jo se i trembem njeriu,
Po s’dua t’u hapet goja për mua të tjerëve
Dhe s’dua të grijnë: “Lajthiti i ziu!”

E di se jetoj me të çmendur, në gaz e në vaj,
Ndaj shkruaj fshehur prej gruas e tinëz të tjerëve
Dhe pi si Firdusi të hidhurin çaj…

Janar, 1995

(Nga “Vjen njeriu i çuditshëm”, 1996)

Të ngjajshme