Poezia e Naime Beqirajt shpërblehet me çmimin e parë në manifestin letrar ‘Takimet e Dom Mikelit 2022’

17 Shtator, 2022 - 7:46 pm

Poetja Naime Beqiraj është shpërblyer me çmimin e parë ‘Agim Ramadani’me poezinë ‘Gangjja e grigjës’ në manifestimin letrar, kulturor e shkencor ‘Takimet e Dom Mikelit 2022’, përcjell KultPlus.

“Çmimi i parë “Agim Ramadani” poezisë “Gangjja e grigjēs”.Falemnderit jurisë për vlerësim, krijuesve dhe publikut për urim! Falemnderit Zot për frymëzim!”, ka shkruar Beqiraj teksa ka dhënë lajmin për çmimin.

Në vijim e gjeni të plotë poezinë ‘Gangjja e Grigjës’

GANGJJA E GRIGJËS

1.

Ec shtegut t’arrave
Hapat drejt në rërë
Shkundur nga thepat
I fshikullojnë kurthat e Jerusalemit
E akuzat
Dëshmitë
Lyer me ngjyra sari 

Pastaj e njejta pyetje
-Çfarë bën Zoti për ne
A mjafton të lëshojmë shtat
Në oborr të Kishës
E të rritemi pak nga pak

Kafka
Drithërimë
Luten prajshëm
Për grigjen
Mbi barinj të përulur
Kullosave të Dardanisë

Këtu po gdhend
Dora e Perëndisë
Dorë e butë
Dorë e zgjatur
Me flatrat e mbushura gjak
Sa herë në ditë e denojmë Atin
E gojën plot Nënë Terezë

2.

Orë më orë
Satani nuk ndalet
Nuk e shohim
Nuk e njohim
As skenën e errët
Kur lodhemi duke u lutur
E përsëri të vakët
Të vaktët si boshësi
E të mundur
Me pedantëri

Si kontinent të vdekur
Kur bëhet ajër shpirti
N’vjedhje djallëzore
Dorën nuk e shtrive
As shtatin
Qafën, jo se jo
Veҁ përulje
Para Atit

Gangje e kthyer n’lule
Besën dëshmi
Kësaj bote
Me emrin e Nënës
Kontinentin e mbrojtur
Ilirinë e nëpërkembur
Dritare të hapura
Poshtë të cilave
Kurthërohen mbrojtjet
Si te judenjtë

3.

Në qetësi nuk mund të të lëmë
As në Shkup martire
As n’Kosovë, bijë
Zgjohu veç pak
E dëshmo
Si të dorëzuam
Me duart tona
Më gjatë se një jetë
Duke shkelur
Tre nga tre
Fletët e Ungjillit

Asnjë kod
Ne kemi të drejtë të lutemi
Deri në Ditën e Gjyqit
Nē qiell të hapur
Si në udhë të bjeshkës
Shtigjeve për Letnicë

Po kush arriti
T’i mund kurthat
E të ec pa u zvarritur
Nën krahun e Atit
Trimërisht si ti./ KultPlus.com

Të ngjajshme