23 Qershor, 2025 - 4:06 pm
Tinka Kurti
Prishtinë ti shet shumë sheqer por pak lule
pse nuk e pastron ajrin si X
Prishtinë pse nuk i nderon njerëzit e tu sa
janë gjallë
ai njeh hapat e poetëve kur ecin granitit
tënd
pse nuk e ndalon screen time në çerdhe
a je ti Prishtina e megafonëve
e grafiteve që flasin me njëri-tjetrin
Prishtinë ti ke plotë kangë
dhe disa poezi
ku thuhet qyteti je ti
Prishtinëti a e di që portretet më të mira t’i
bënë nga provinca
pse nuk i pranon qetë divorcet
a ke qenë ndonjëherë e re në Prishtinë
ti je edhe kafe edhe raki edhe xhami
veç ti
Prishtinë edhe te ti u vranë gratë
për cilën qave më shumë?
Pse nuk i do fëmijët Prishtinë që i shtyn në
qendra tregtare?
një lulishte Prishtinë të lutem
Cilit shkrimtar do t’i bësh statujë
a do të bëhesh e sigurt
Pse flas nganjëherë në standard
kur ti tingëllon kaq bukur
a thu ke diçka në Pazar të martën masdite
pse flen kaq shumë Prishtinë
që prej pandemisë
cili është çifti më i dashuruar
pse nuk e ben një konkurs
cili do të anulohej?
gjethet e tua të dardhës ta fshehin gëzimin
një gëzim i shkurtë, i pakuptmimtë i dikujt që
nuk ka qenë asnjëherë perandori
prandaj s’mundet me qenë nostalgjik
edhe pse burrat e tu janë të palëvizshëm si
pashallarë
pse i fsheh as mirë njerëzit që lexojnë
nëpër menytë e restoranteve
a doli koreanishtja
pyeti tinejxherët
në tavolinat tua ti i ul të gjitha partitë
i shërben edhe pse tash askush s’pin më
makiato
Prishtinë nuk di çka të jap dhe s’e di çka
më dhe
pos disa certfikata dhe relaksit
në kolonat e tua
më fal për mosmirënjohjen
sepse më dhe jetë, vullnet, mërzi, balet,
shkronja, teatër, dashni, politikë, shoqni
dhe kamarirerët me sollen ujë
pastaj më përcolle
unë ende të dua, edhe pse më le të shkoj
krejt e papenguar pa ma qitë asnjë ndalesë
në rrugën timë të ikjes./ KultPlus.com