Romanvrasësi

28 Prill, 2020 - 10:00 pm

Poezi nga Ismail Kadare

Në presidiume, midis shefash
A nepër mbledhje pak më rrallë,
Ti shfaqesh thjesht e buzëqeshës
Dhe sytë i mbyll dhe flet ngadalë.

Dhe thonë shefat: sa i thjeshtë,
Dhe thonë njerëzit: ç’babaxhan.
Kështu shpërndahet kjo legjendë
N’auditore anembanë.

Kështu shkon dita… Por vjen nata
Kur në tryezë rri, oh, ç’tmerr,
Lëkurën befas heq si maskë
Dhe një fytyrë tjetër del.

Dhe letrat hap, çantën e krimit,
Jo më për prozë lapsin zë,
Por për të shkruar denoncimin,
Për të varrosur prapë dikë.

Dhe shkruan fjalët: “ekuivoke”.
“Ka aludim”, “kuptim dyfish”,
Ndërsa e ndien si spërkat duart
Gjaku i romanit që jep shpirt.

Makbethi tha dikur: s’e prisja
Të kish kaq gjak Dunkani plak…
Por një roman nga plagët shpuar
Nxjerr shumë e shumë më tepër gjak.

Ndaj nga spërkatja e tij nuk mundesh
Nuk mundesh kurrë të shpëtosh dot…
Më kot vë maskën në fytyrë
Dhe buzëqeshjen vë më kot.

Dikur kinezët mu në këmbët
E varrit të heroit q’u tret.
Varrosnin vrasësin që bashkë
Lavdi e turp t’ishin përjetë.

Do të kujtohesh dhe ti mbase,
Por veç nën këmbët e dikujt
Do çajnë shekujt kështu bashkë
Lavdi e tij dhe i yti turp.

Të ngjajshme