Saga në tavernën Lora

11 Janar, 2019 - 7:10 pm

Bajram Mjeku:
Në kujtim të mikut tim të mirë, poetit e dramaturgut norvegjez Erling Kittelsen dhe borës që i rrinte aq bukur Oslos pak orë mbas ndërrimit të Mileniumit të ri.

Në tavernën Lora jam ulur sonte
Në sheshin Henrik Ibsen në Kristiani
Shpejtojnë njerëzit duke çarë borën
Siç erdhi mbrëmë Mileniumi i ri.

Në tavernën Lora ka veç rrëzëllim
Në secilën tryezë ndezur nga një qiri
Unë pres dhe nuk më bëhet vonë
Durueshëm siç pritëm shekullin e ri.

Dera e vjetër e përplasi heshtjen
Me hapa të rëndë dikush po vjen 
Është shkrimtari Erling Kittelsen
Sagat skandinave mbi supe i çon.

Nga acari fërkon duart e thotë
Sonte do të flasim vetëm për lirikë
Harro plojën e luftës, gjithçka harro
Vetëm maskarenjtë bëjnë politikë.

Erlingu flet me pasion për lirikat
Të njëjta, si lirikat tona në Ballkan
Dy kultura të vagullta në Polin e Veriut
Vetëm acari dhe ngrohtësia i ndanë.

Derisa pijmë verë në tavernën Lora
Lora e gjallë ecte udhës natën vonë
Përtej xhamave ajo dhe bora e bardhë
Tundonte lirikat thellë në shpirtin tonë.

(Oslo, janar 2000)

Të ngjajshme