6 Gusht, 2025 - 1:10 pm
Fragment poezie nga Ismail Kadare
Llora
-II-
Tani shiu godet me shkelma qelqeve.
Atje qielli i zi si negativi i një shkretëtire.
Llora,
Më ka marrë malli,
Mall bojë hiri.
Tani nata si një mbulesë vigane
Qëndisur me drita anëve
Karfosur me paralele dhe meridianë
Nga lindja në perëndim,
Na mbulon e shqetësuar.
Ne shtrihemi nën të,
Si në ethe zbulohemi
Të ndarë,
Të largët,
Të vetmuar.
Pati net,
I qullur nga stuhia jote,
Heshtja pranë teje dhe pasionit të marrë,
Mbërthyer mbi krahët dhe këmbët e tua
Si mbi një kryq të madh
Të bardhë.
Në fillim e mora kaq lehtë.
Madje s’thosha as fjalën “dashuri”.
S’e dija se dhjetë vjet më i ri se Krishti
Do të kryqëzohesha mbi ty./KultPlus.com