‘Se kur të zgjohem, do të bâhem gjahtar i patrembun i gjurmave të tua’

8 Gusht, 2025 - 3:05 pm

Poezi nga Din Mehmeti

Malsores

Flej, flokëshprishuna e shpatinës sime t’blerueme, flej!

Sonte do t’i përgjumim bylbylat

Që këndojnë n’rremat e dridhun t’dashunis.

E na, tanë natën do t’fluturojmë n’krahët e andrrave

Tue i blue dëshirat n’bebzat e lodhuna.

Sonte futu thellë n’parzmin tim

Që puthet n’rrezet e syve të tu,

Ta kallim shkrumin e mbetun,

Që na brejti dritat e hapave n’rini!…

Flej, Malsore e shtrejtë, n’mue.

Nëse n’mjegullimet e netve t’zgjojnë rrufet e kobshme,

Lema blenin e flokëve, që t’lëvaret n’rrezen e ballit,

T’i qepi të gjitha buzët e plagosuna t’brengave.

Shtrydhe n’folén e përkundjeve

Aromën e rudinave që thithe si tamblin n’gjijt e lokës

Se – kur të zgjohem –

Do të bâhem gjahtar i patrembun i gjurmave të tua…

Flej Malsore n’mue,

T’i ushqejmë zogjt që turren pa pupla me fluturue.

O, njiherë t’i shkrijm, akujt e krahnorit,

Se prap ernat kanë me na zgjue!…/KultPlus.com

Të ngjajshme