Së shpejti fillon edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec

9 Shtator, 2018 - 5:30 pm

Javën tjetër, duke filluar nga data 15 deri më 17 shtator 2018, Rahoveci do të jetë nikoqir i edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, që organizohet nga Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi, shkruan KultPlus.

Edhe ky edicion synon të sjellë emrat e shquar të letërsisë botërore nga Japonia e deri në SHBA, nga Evropa në Azi.
Sipas Drejtorit të Festivali, Fahredin Shehu, do të ketë lexime të poezive nga poetë, performancë poetike nga poetja japoneze Yuki Nagae. Po ashtu do të bëhët edhe promovimi i Antologjisë Ballkanike e edituar nga Shehu dhe botuar nga Inner Child Press LTD. International, në SHBA, si dhe promovimi i opusit letrar të poetit nga Shqipëria, Xhevahir Spahiu.

Shehu zbuloi se poeti amerikan Andreë Singer, bartës i projektit Traffika Europa me seli në Paris, do ta bëj dokumentimin e festivalit dhe Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec e fut në rrjetin e Festivaleve dhe ngjarjeve kulturore të Evropës. Aktivitetet e Festivalit do të transmetohen live në Traffika Europa Radio si dhe në Radio Aktiv në Rahovec.

Festivali po përkrahet nga Ministria e kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe donatorëve zemërgjerë nga Rahoveci, të cilët e kuptojnë rëndësinë e festivalit dhe diplomacisë publike në interes të ngritjes së imazhit të Kosovës në botë./ KultPlus.com

Të ngjajshme