“Shqipëri flite një fjalë, mos vajto në tënden ditë, një flamur kemi të rrallë, festën bashkë e kemi prit”

28 Nëntor, 2019 - 9:52 am

Poezi nga Alma Papamihali

28 Nëndor 2019

Moj Shqipëri, të qofsha falë,
Afër dhimbjes kush t‘u gjend,
Në ditë të lotit, si një djalë,
Pranë shpirtit që të dhemb.

Shpirtit tënd, të copëtuar,
Nën gërmadha, bijët humbur,
Shqipëri, s‘je e vetmuar,
As mbulohesh dot me pluhur.

Lot kush derdhi bashkë me ty,
Si tek nëna, prehrit shtrirë,
Shqipëri, të sheh në sy,
Një Kosovë, që ke për bir.

Shqipëri, flite një fjalë,
Mos vajto në tënden ditë,
Një flamur kemi të rrallë,
Festën bashkë e kemi prit‘.

Në të mirë, por dhe në lot,
Ishim një, dhe një do mbesim,
S’mundet kush, t’na ndajë dot,
Shqiptarizmin, nuk e shesim.

Shqipëri, o nënë e madhe,
Plagë të mori, e kuqja tokë,
Por e vetme s‘je në halle,
Një Kosovë, të rri mbi kokë.

Rrugët tona trarë s‘kanë,
Si vetë qielli, pa pengesë,
Ulur prehrit, shqipes Nanë,
S‘ka tërmet, gjakun ta tresë.

„ Ishim një, dhe një do mbesim“

Alma Papamihali

Të ngjajshme