Shqiptari primitiv

4 Mars, 2019 - 7:50 pm

Poezi nga Ragip Sylaj.

Shqiptari primitiv vdes për fjalën
Për nderin e fjalës 
E për fjalën e nderit
Se fjala e nderi për të janë jetë e amshueshme

Shqiptari primitiv ta hap zemrën dhe derën
Se është i vetes sa i të tjerëve
Se është i të tjerëve aq sa i vetes

Shqiptari primitiv e merr në mbrojtje të dobëtin
Të drejtin
I do kafshët e bimët si vetveten
Betohet në tokë e në qiell 
Në bukë e në fjalë

Shqiptari primitiv s’di të bëjë kurthe si njeriu modern
T’i ndërrojë fytyrat e gëzofin sipas motit
S’mund ta lëpijë atë që e pështyn
As ta hajë atë që e vjell

Shqiptari primitiv
S’e ka mësuar artin e mashtrimit
Andaj ka mbetur i papërmirësueshëm 
Specie në zhdukje si çdo specie e rrallë

Hyjni e llojit të vet

Të ngjajshme