“Shyqyr që kjo botë e vjetër nuk sillet rreth vetes ma shpesh”

4 Janar, 2022 - 5:00 pm

Poezi nga Plator Gashi

sado q’e ka beku perenia
shyqyr që kjo botë e vjetër
nuk sillet rreth vetes ma shpesh —
a ish duru me i shqyrtu kaq dendun
gabimet e bame, zhgënjimet e kryme,
vdekjet e vogla;
e me kujtu se
ngazëllimet e lumturiçkat
janë batisë në det e tash u nihet veç
amëza nji herë në hanë tu gjezdisë udhëve kot
a ish duru
more a ish duru me u përloshë ma shpesh për çdo
tutë e pasiguri e rrebe
qi e ka tharbë vjetin
e njerëzit rreth teje a ish duru
ma shpesh se nji herë mas treqinegjashtepesë
ditëve e netve
jo për besë, fishekzjarret shkreptijnë sikur sinapsat
gjatë kësaj mbramjeje
bre sa mirë me i kujtu ftyrat e buzagaze në
Tiranë e në Prizren, bre sa të kojshme puthjet
po ma mirë mos me i kujtu se edhe ashtu shpesh
po më bjen me bredhë si halë bredhi nëpër stuhi
e çdo herë qi i qes ndër mend ua përshkëllin ngjyrat
deti
po kënaqna tu e ditë
qi dymijenjizeteteta asht vit i brishtë — perishtup,
e ka me ma falë nji ditë ma shumë
vonese, qetësie. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme