Sikur s’jetoj në vendin tim

6 Janar, 2018 - 11:54 am

Poezi e Dritëro Agollit

Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim,
po në një vend të huaj dhe të largët.
Në një qytet me buba dhe me minj,
mes mureve të rrjepur dhe të lagët.

Çuditem pse kështu më duket shpesh
kur s’ka njeri shtëpia, kur jam vetëm.
Kur shiu në dimër flluska ngre në shesh
Dhe mua flluska flluska ma bën jetën
më ngjan sikur dhe strehët derdhin helm.

Helmohemi ato çaste me njëri-tjetrin,
s’e di nga vjen ky helm se s’kam ç’të them
Veç shoh se rrobat tona helm na rrjedhin.

Ky vend më duket do helmohet krejt
Nga helmi rrjedhur vrimash në themelet,
Pastaj do tundet toka në tërmet
Dhe Djalli i Madh do qesh e do zgërdheshet.
I huaj jam në vendin tim, mjerisht
dhe kur rreth meje ka me dhjetra njerëz

Kjo më lëndon dhe shpirtin ma gërvish
më bën të qaj si nxënës prapa derës.

Të ngjajshme