Solstic dimëror

26 Dhjetor, 2022 - 5:30 pm

Poezi nga Alex Dimitrov

Ja sërish nata më e gjatë e vitit.
Qyteti gati një kopje vendndodhjesh xhirimi.
Rrugët e tij bajate ndërsa njoftojnë
Atë çka s’mund të matet: heshtjen,
Ata që ne ishim në pasqyra, neon ngjyrë hiri.
Tre pëllumba mblidhen nën dritat e një bari.
Një çift grindet gjatë një darke teksa kamerieri
Shpie llogarinë. S’është e qartë se ç’u ka shkaktuar
e kaluara, apo edhe pesë minutat e fundit.
Përpos, ç’të bësh me dashurinë, e di kush?
Mund të mos i mbijetojë një cigareje.
Dhe mjafton sa për të të hequr qafe, sa sterrë është
Sa të akullt dukemi qoftë edhe në mjerimin tonë
Për sa kohë kuptojmë se sa do t’na mungojë.
Do t’na mungojë kur të fiket.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Të ngjajshme