Sonatë e pakryer një mëngjes me borë

20 Shkurt, 2019 - 1:54 pm

Nga Bajram Mjeku

Po bie shumë borë Ana Livia
përtej xhamave gjithçka duket bosh
e gishtat tu mbi tastaturën e pianos
valsin e Shopenit sollën në Prishtinë.

Trokita gjatë në mur e ti nuk dëgjoje
midis meje e teje sundonte një hon
kur vrava heshtjen që rëndë më trazonte
me hijen tënde vallëzova në sallon.

Piano dhe borë… Ç’trazim i përzier…
me tingujt e sonatës së pakryer në mes
ikën vitet bashkë me kujtimet e trishta
një epokë funebre frymon midis nesh.

Gjithë ditën jam endur nëpër dhomë
dhe nuk dija ç’të bëj me vetveten
përtej murit të gërryente vetmia
siç më gërryente edhe mua njësoj.

Prapë piano më ndjell nga dhoma jote
prapë gishtat tu notojnë mbi tastaturë
sonata e pakryer u nis në udhën e saj
si jeta dhe vdekja që nuk ndalen kurrë.

Shumë borë po bie Ana Livia
më shumë se shi te Barbara e Preverit
vetëm gishtërinjtë tu të hollë
përtej murit që mizorisht na ndanë
më sollën dritë nga thellësia e ferrit. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme