Sonete shiu

7 Nëntor, 2022 - 5:47 pm

Nga Herman Çuka

1
këtë mbrëmje
rrëshqet shi i butë,
mbi trupin e flashkët
të tokës, prej mungesës,
etshëm e pret
të mbushë gjokset
lëshuar aromë t’ëmbël dheu e bari…
aty-këtu zëra të
lagura treten
dhe dritat e makinave
ngarendin t’fiken
shtëpive t’ngrohta
(dashuri kjo e shtëpisë, dhe për orenditë jo vetëm për shpirtrat që presin)
2
qetësi shtrihet
me shiun mbi qytet;
dhe melankoli mbi dyert
e dritaret e shtëpive
në tingull bluzi molisës,
vetëm baret
gëlojnë tringëllimave
të krikllave, e kërcitjeve
t’puthjeve
tik-taket e Orës mbi Katedrale nxituar të kapin piklat ngatrrestare që rigojnë mbi akrepa
si djaj të vegjël rrëshqasin e gudulisin virgjërinë në shenjtorët e hutuar
veshur me shkëlqimin e ujit,
si në një festë surreale…
3
shi i dëshpëruar nga pritja e gjatë mbytet
në barkun e lumit Po,
retë, ngashërimën rëndojnë mbi strehë, mbi ato
qerpallat e çative
të lodhura mjegullës
diku, në dritare
një nudo i rrëshqet shiut kuriozitet’ i purpurt
mbi kanapetë e kadifejta,
miklimet e duarve
tërthorazi ndjellin dashuri t’përgjumura,
ato, përndizen
e rrjedhin lëngje të kuqe si nga shegët epshëndjellëse…
4
prej ngarendjes nën shiun
zemërak si mjekërkaltri
në një pyll t’myshkët,
në rrjetën e dredhkëzës
në ngjyrë violë
një mërgimtari i ndodh t’i humbasë gjurm’ e rrugës…
strukjen e vet e mbështet
nën gështenjën e egër…
dremitjen i këput
një klithmë shqipke n’agoni epshi,
thërret mashkullin
i kujton gruan që pret
tek prag’ i portës…
siluetën e natës hedh mbi vete e merr shtegun e lules
me aromën e gruas…
5
megjithatë mbrëmjeve
mbështjellë e nomatisur
me shi të butë,
që rrjedh nga buzët e plota të vjeshtës,
ëmbël më vijnë poezitë,
e aromat e jaseminëve të mi blu,
që ende flërtojnë në librin e kujtimeve…
6
jashtë bie shi në ngjyrë qielli
e shtëpia sonte këndellet në aromë boronice e kanellë,
frymuar si pipë narkotiku,
nga lyfyt’ i dehur i çajniku’t
me ngazëllim të purpurt
kam vënë dhe CD-tënde “nata”, në gramafonin e vjetër,
e humbem ëndërrimesh
gruaje prej mishi, të ndjell si circe prej shpirti,
e ti, më urre po deshe,
por vetëm mos thuaj, se m’urren këngën e shiut… / KultPlus.com

Të ngjajshme