Sot është e shtunë…

25 Gusht, 2018 - 9:54 am

Jamarbër Marko.

Për mua dhe për ty
Për të gjithë.
Për të gjithë ata
Që patën diçka në tokë.

Sot është e shtunë
Edhe për ata që janë mërzitur
Për ata që nuk dinë të jetojnë.
Është e shtunë edhe për ata
Që nuk janë më.

Sot është e shtunë
Për kuajt që tërheqin karrocat në errësirë
Për lodrat që u luajtën
Dhe për vendet bosh në sallat e lavdisë.

Sot është e shtunë
Edhe për ata që nuk e dinë këtë gjë
Që vuajnë e s’ janë të lumtur.
Vetëm sot është e shtunë,
E dëgjova në rrugë
Në derën e spitalit.
Sot është e shtunë
Edhe sikur askush të mos e kujtojë…
Jo vetëm sepse unë sot jam mërzitur,
Por për madhështinë e një dite
Që veshi mbi vete pelerinën e vjetër të botës.

Është e shtunë
Sepse nuk ekziston asnjë ditë tjetër
Si kjo e sotmja
Dhe dikush mund të thotë
Se asnjëherë nuk ka qenë e shtunë,

Se asnjëherë, asnjë ditë
Nuk ka shpënë buzë greminës kuptimin e madh
Jetën e madhe përpara një bluze
Të thjeshtë dite
Siç është dita e shtunë.
Ditë e shtunë sot
Që u përsërit aq shumë
Mbi atë çka bënë ata që nuk jetojnë sot
Me lehtësinë e atyre që jetojnë
Të mbështjellë nga e shtuna
Që si letër karamelesh
Bie mbi butësinë e vjetër.

Sot e shtuna bie mbi kërcënimin e vjetër
Dhe thuhet nga të gjitha buzët kudo
Edhe atje ku dita është ngatërruar me një tjetër
Edhe atje ku dashuria është zëvendësuar me një tjetër.
Kudo sot e shtuna përkëdheli plagët dhe buzëqeshi
Për t’ ua bërë më njerëzore,
Për t’ ua larguar sadopak nga pesha e kohës,
Që e veshur me hijen dhe dritën e një të shtune
Ndaloi lozonjare dhe tha:

Sot është e shtunë
Kur filluam të kuptojmë
Se vetëm në botën tonë është diçka
Të rrish pak më shumë në të ftohtë
Për të larguar diku drejt pafundësisë
Nyjen e vërtetë,
Që lëkundet me përkëdheli
Brenda thellë së shtunës
Që duket se nuk do të ndërrohet me asnjë ditë tjetër.

Sot është e shtunë
Për të vetmen thjeshtësi dhe mendim
Për të vetmen kënaqësi dhe trishtim
Për të bërë një hap
Në botën e vogël të njerëzve.
standart.

Të ngjajshme