Te arka

5 Dhjetor, 2018 - 9:00 pm

Poezi nga Wislava Szymborsk, sjellë në shqip nga Pandeli Çina.

Filloi të bjerë shi pa pushim.
Te arka, se ju diku do të shkoni:
vjersha për një zë të vetëm,
hove private,
jo doemos talente,
kureshtje e tepruar,
brengosje dhe druajtje që nuk zgjatin,
moj dëshirë për t’i vështruar gjërat nga gjashtë anë.

Lumenjtë fryhen dhe dalin nga brigjet.
Te arka: dritëhije dhe gjysmëtone,
trille, zbukurime dhe hollësi,
përjashtime të marra,
shenja të harruara,
variante pa fund me ngjyrë të hirtë,
moj lojë për lojën
dhe ti lot i buzëqeshjes.

Me ç’të zë syri, ujtë dhe horizonti në mjegull.
Drejt arkës: planet janë për një të ardhme të largët,
hare nga ndryshimet,
admirim për më të mirët,
përzgjedhja jo e kufizuar tek njëri nga të dy,
skrupuj dalëboje,
o kohë për t’i thirrur mendjes
dhe ti o besim, se e gjithë kjo
një ditë ende do të duhet.

Për shkak të fëmijëve,
të cilët vazhdojmë të jemi,
përrallat përfundojnë për mirë.

Edhe këtu asnjë fund tjetër nuk vjen pas.
Pushon shiu,
ulen valët,
në qiellin e kthjelluar
shtrihen retë
dhe do të jenë sërish
ashtu siç u ndodhi atyre reve mbi njerëzit:
ngritur lart dhe jo aq thekshëm
në ngjashmërinë e tyre
me ishujt e lumtur
që po thahen në diell
me manaret,
lulelakrat
dhe pelenat./KultPlus.com

Të ngjajshme