‘‘Të dua më fort se natyrën’

15 Shtator, 2021 - 11:25 pm

Poezi nga Yevgeny Yevtushenko

Ty të dua më fort se natyrën,
Se natyra e gjallë je vetë,
E lirisë ti je shëmbëlltyrë,
Por pa ty dhe liria më vret.

Ty të dua aq fort i shkujdesur,
Sa rrëpira më duket si shteg.
Të pamundurën askush s’e ka prekur,
Dashuria ime e prek.

Ty të dua, të dal’ku të dalë,
Dhe kur pi dhe kur bëhem brutal,
Ty të dua dhe as bëhet fjalë,
Përmbi egon e shenjtë do dal.

Ty të dua më fort se Shekspirin,
Se të dheut këtë bukuri,
Se muzikën pa fund të efirit,
Se muzikë e libër je ti.

Ty të dua më fort se lavdinë
Që kaloi e atë që po vjen,
Se të ndryshkurën perandorinë,
Mëmëdhe s’ësht’ ajo,por ti je.

Je fatkeqe? S’pranon ti mëshirë?
Lodhe Zotin me lutjet e tua.
Ty të dua përmbi lumturinë,
Më fort se dashurinë të dua./KultPlus.com

Të ngjajshme