Tetor

22 Shtator, 2019 - 8:30 pm

Poezi nga Rina Mujku

Mëngjes vjeshte,
Duket sikur çdo gjë ka vetëm një ngjyrë,
Një ngjyrë që veç ‘e bukur’ quhet
Mbulon çdo pemë, çdo rrugë, çdo ndjenjë hijshëm, këndshëm në çdo mënyrë,
Prandaj veç e bukur i thuhet.

Erë e ftohtë, për veshët melodi
Me të cilën flokët vallëzojnë,
Ngrohtësinë e saj ua falë vetëm atyre
Që të ftohtin vërtetë e shijojnë.

Dhe sa herë që gjethet lozonjare i vështron
Lehtë duke u lëkundur e pastaj duke rënë,
Të bëjnë të zhvishesh edhe në brendësi
Nga çdo brengë që zemrës mund t’i kesh vënë.

Mëngjes vjeshte, panorama më e sinqertë e shpresës.
E çfarë mund të të dhurojë më shumë siguri
Kur sheh se krejt ajo që po vdes
Do të lindë më e bukur përsëri?! / KultPlus.com

Të ngjajshme