Ti që i ki duert ma t’pafajme se t’mijat

14 Dhjetor, 2017 - 3:20 pm

Poezi nga Vesna Praun.
Përktheu Vlora Konushevci.

Ti që i ki duert ma t’pafajme se t’mijat
e je e ditun si ngutia.
Ti që di me ja lexu vetminë n’ballë
ma mirë se unë,
e që ja tremb hijet e lodhshme
t’ngurrimeve prej ftyrës
njajt si i tremb flladi i parnverës
hijet e reve qe lundrojnë mbi kodër.

Nëse përqafimi yt e trimnon zemrën
e kofsht e tua e ndalin dhimbjen,
nëse emni yt asht strehë
e mendimeve të tij, e fyti yt
mriz i prehnajës së tij,
e nata e zanit tand pemishte
e paprekun prej stuhive.

At’herë rri
e banu ma besnikja prej tan’ atyne
që e kanë puth para teje.
Kij frigë prej rankimeve që afrohen
tek çerdhet e pafajme t’dashnisë.
Banu e butë me andrrën e tij
përfundi nji mali të tanë
buzë detit që gjëmon.

Shetit bregut të tij. Le t’takojnë
delfinët e piklluem.
Hallavitju pyllit të tij. Hardhucat miqësore
nuk kanë me t’ba zarar.
Edhe gjarpnijtë e etun që unë zbutun i kam
t’përulun para teje kan’ me ndejt

T’knofshin zogjt që unë i kam nxe
netve t’ngricave të mëdha.
T’përkdhelt djaloshi që unë e mshefa
prej shpiunave rrugëve t’shkreta.
Ju ardht era luleve
që unë me lotë i vadita.

Unë nuk e mbërriva moshën ma t’bukur
t’burrnisë së tij. Pjellorinë e tij
nuk e shtrëngova n’gjinin tem
që asht shkretu prej shikimeve
t’atyne që i rrahin bagëtinë n’pazar
e hajnave lakmitar.

Unë kurrë s’kam me i kap për dore
fëmjët e tij. E përrallat
që për ta i kam gatit dikur moti
ndoshta ua tregoj tuj vajtue
arinjëve t’vegjël e t’mjerë.
t’braktisun në pyllin e zi.

Ti që i ki duert ma t’pafajme se t’mijat,
banu e butë me andrrën e tij
që ka mbet e padjallëzueme.
Por m’lejo me ja pa ftyrën
kur e shënjojnë ngadale
vitet e panjohuna.
E m’trego ndonjiherë najgja rreth tij,
se mos t’i pyes t’huajt
që çuditen me mue, apo t’afërmit
që e mshirojnë durimin tem.

Ti që i ki duert ma t’pafajme se t’mijat,
mbështetju aty tek kryet
edhe banu e butë me andrrën e tij!

Vesna Parun, e lindur në vitin 1922, është një nga poetet më të shquara të letërsisë kroate të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Përmbledhja e saj me poezi me titullin: “Bljesnula je naglo i u punom sjaju zbirkom Zore i vihori” e botuar në vitin 1947, ka shënuar datën e zhvillimit e poezisë së re të Kroacisë. Pas kësaj kanë pasuar edhe shumë përmbledhje tjera me poezi, siç janë: “Crna maslina” 1955, “Ropstvo” 1957, “Ti i nikad” 1959, “Koralj vraćen moru” 1959 e shumë të tjera.
Vargjet e saja janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja si në gjuhën angleze, ruse, çeke, sllovake, sllovene etj.

Ajo vdiq në vitin 2010 në Stubičke Toplice në Kroaci.

Të ngjajshme