Ti do të heshtësh

14 Qershor, 2018 - 6:13 pm

Mimoza Ahmeti

Ti do të heshtësh gjatë atë ditë,
ndoshta për fare atë natë,
kur të mos jetë
mbi sferën e humbur të tokës,
figura ime krenare
me sytë e fuqishëm si shpezë
që veç lirisë i përkasin,
që ti e deshe aq shumë.
Ti do të heshtësh djalë,
ti do të heshtësh, burrë,
ti do të heshtësh, shpirt,
kur të mos jem më unë.

Dhe mjekra jote mbështetur mbi klavikul,
do të heshti.

Oh, nuk do të jetë më ajo heshtje, nga ato që vibrojnë afrimin.
Ajo heshtje e madhe,
ajo heshtje e mungesës,
ajo heshtje e kthimit tënd,
në një,në një,në një.

Ti që gjithmonë me mua ishe dy,
dhe prapë njësuar,
po kurrë bir vetmie.
Do të heshtësh,
ti që aq pak flisje dhe heshtjet i krisje,
ti që i kishe fjalët si guaska të rralla,
që m’u desh aq rrugë të eci për ti gjetur,
do të heshtësh ti, që aq shume të desha.
Do te kthehesh ne nje burrë si mijëra,
(kurre nuk mbaron argateria se ngreni burra.)

Do të heshtësh. Do të çohesh. Do të ikësh që andej,
krahëthyer drejt gojës së argatërisë do t’ikësh
duke tu zvogluar trupi, shpatullat në largësi.
Do të ikesh argati im, do të zhdukesh,
dhe këtu historia jonë do të mbarojë
historia jonë e padëgjuar ,
që e përgjonin yjet e pikuar ,
e që kapnim me dorë nën çati…

Të ngjajshme