Do t’jet’ shumë vonë

29 Gusht, 2017 - 11:00 am

Poezi e shkruar nga Blega Sheholli.

Kur do kërkosh pllamën e dorës tem me ta prek krahun
e me t’thanë se “gjithçka ka me ra n’vend t’vet”

Sytë tu kanë me lypë me i pa t’mijtë
e shikimet me na u lidhë si gërshetë
por do të jet’ shumë vonë ti asgja tjetër s’ke me pa përveç zbrastisë së dhomës
dhe do t’çmendesh kur t’dëgjosh kangët tona teksa bajnë duet me vetminë dhe nëpër ezofag ke me çu nji gotë vner

Shumë vonë do të jet’ kur ti ta kuptosh se heshtja jem ka qenë faculetë e lotëve tu e asgja tjetër s’ki me ngu përveç fjalëve boshe të atyne që veç të qeshën e kurrë… s’të qanë.

Mos e prit ardhjen teme
kur une të bahem shi
e ti shkretinë. Ikjen time ke me pasë mallkim që të djeg në ballë.

Vonë, shumë vonë për mu
për ty
për takimin tonë.

Nëse ndonjiherë vij, do t’vij veç me t’harru…

Të ngjajshme