T’ngrohtit, Prizrendit tem

28 Qershor, 2019 - 12:30 pm

Vlora Ademi

sa herë t’ndjejë nga larg
ninulla djepi m’përkundin
andrrave t’kahmotshme
për me t’pa t’praruem

magjepsun pas teje
si mas flutrave
n’hap t’parë

shkelë fije bari t’njomë
për me e pasë ma t’bukurin
t’bardhin zambak
njomun me stërpikat
e po t’bardhit lum

Po,
kshtu t’du!

t’bardhë
e t’hijshëm
me tana rrudhat e ballit
e kalldërm t’shkelun
cep m’cep
për me t’i njoftë
t’ligat
t’largëtat
e t’moçmet
mshefun rrugicash t’ngushta
e trarëve
t’rënduem vitesh
që i bajnë mbi krah
si tjegulla t’daluna boje

Po,
kshtu t’du!

pshtetun
n’gurë t’kalasë
ku e kam
n’pllamë dore
krejt madhështinë tande
me minare e kupola
si kurtizanë mesjete
n’mexhë tundimi
n’mes t’ezanit
e tinguj kambanash
që t’lypin për vete
n’t’njejtin dakik
për me i kalue lirshëm
tana urat e gurta
e me ju ngjitë shtegut t’thanave
tuj t’i numru thinjat
nji kah nji

Po,
kshtu t’du

me tana hiret
e vrragët
e shekujve
lënë mbi Ty
gjurmë lavdesh
që i shtojnë nurit tënd hijeshi
e me m’pasë zili
secila majëmali
që t’rrethon
pse shputë e imja
shejon aq prajshëm mbi Ty

Po,
kshtu t’du!

se shpirti pezull m’rri
sa herë largohem nga Ti
dhe ditën që do t’i ngjitem
qiellit përpjetë
ruhin tim t’ma mbashë shpatullave
kryet n’dërrasë mbështetë
se si n’shpatullën tënde
n’asnji tjetër shehër bote
t’ngrohtit e diellit s’e kam gjetë. / KultPlus.com

Të ngjajshme