U hap mbrëmë ekspozita dhe festa e shkrimtarëve ‘Hijet e Bardha’ në Galerinë Qahili

2 Dhjetor, 2018 - 10:05 am

Arbër Selmani

Poezitë në të katër anët dukeshin si shpirti i dalë prej trupit të artistëve dhe i mbetur pezull në murin e bardhë tabullarasë. E njëjta tabullarasë u qëndis me emra, fjalë, korniza, momente, emocione, burra e gra që nuk njohën kurrë dashuri, të tjerë që patën teprica të dashurisë, në pritje të trenit, autobusit, metrosë, në pritje të asgjësë. Poezi që prej një këndi në këndin vjetër, të jepnin shumë në pak vargje.

Në Galerinë Qahili në kryeqytet, mbrëmë mbi 60 poezi gjetën audiencën e tyre në kuadër të “Hijet e Bardha”, një projekt mes kësaj Galeria dhe OJQ Etea që mblodhi rreth vetes shkrimtarë e poetë të rinj e më të njohur për një garë të poezive e cila pati fillimin mbrëmë e do të vazhdojë deri në mesin e dhjetorit.
Emrat si Tinka Kurti, Sibel Halimi, Era Maliqi, Ilire Zajmi, Endrit Krasniqi, Debora Deva, Donart Rexhbogaj, Donika Sopa, Musa Ramadani, Nora Canolli, Radije Hoxha e të tjerë shkrimtarë patën poezitë e tyre në muret e Galerisë Qahili.

Të pranishmit në hapjen e ekspozitës, por edhe në ditët në vazhdim, do të duhet të votojnë për poezinë e tyre të preferuar e cila në fund do të jetë fituese. Një performancë e një poezie të çuditshme e nisi mbrëmjen, që doli të jetë një inskenim i tmerrshëm.

Agon Ahmeti nga ETEA tregoi ideja e kësaj performance tregoi më shumë për antivlerën në shoqërinë tonë.
“Ne së bashku, si komunitet artistësh e aktivistësh, fundja edhe si shoqëri në përgjithësi nuk duhet të qëndrojmë indiferent ndaj antivlerës, sepse kjo e fundit është duke e ngulfatur vlerën, sidomos artistike. Kemi shumë artistë, shumë prej të cilëve sot gjenden këtu, arti i të cilëve nuk arrin të dalë në pah, për shkak të mbizotërimit të antivlerës, sidomos në masmedia e kjo vlen për të gjithë fushat e artit” tregon ai.
Erza Kurti dhe Durim Xhema i uruan mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në ekspozitën me poezitë, secila më e veçantë se tjetra, e disa më të dalluara kësisoj edhe më të votuara.

Hijet e Bardha janë një metaforë për ta përshkruar botën e artit si diçka të dlirë, të pastër dhe madhështore. Vet hija është gjigante, është një iluzion që nuk është asjnëherë e njejtë. Edhe pse Hijet e Bardha nuk i shohim ato janë gjithkund. Mu për këtë arsyje veprat e artit, shkrimet e poezitë përmbajnë një sharm dhe e mahnisin publikun.
Poezia fituese në fund do të shpërblehet me një punim nga Fondi i Galerisë Qahili dhe me tre libra nga ETEA. Poezia do të dihet në mbyllje të ekspozitës kur edhe do të mbahet një panel diskutimi. / KultPlus.com

Të ngjajshme