Unë jam studenti. Unë jam Liria

11 Dhjetor, 2018 - 9:26 am

Flutura Açka

Kur çast i mbramë thërret e lëshon za,
Se lëngon e kërrusur, shqyer Shqipëria,
Zgjohem nga mpirja, ec botën n’këmbë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

N’sarkazëm më tallin pushtë e langonj,
Dhe Atdheun ku ku, në kurth pabesia,
Rininë kam armë, frymën mburojë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

Është orë e zgjimit, shpresës së madhe,
I vetes dalëzot unë, në kryq tirania,
Kush më nënçmoi, s’më njohu kush isha,
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

E në mos qofsha gjallë, aty jam unë,
Me ty në shesh janë ëndrrat e mia,
Unë fryma e zëri, unë fjala e shenjtë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

Tiranë, 11 dhjetor 2018

Të ngjajshme