Urrejtja

28 Shtator, 2018 - 3:23 pm

Wislava Szymborska

Shikoni, sa e aftë është përherë,
sa mirë mbahet
urrejtja në shekullin tonë.
Sa lehtë i merr pengesat e mëdha.
Sa lehtë është për të, të hidhet, të rrëzohet.

Nuk është si ndjenjat e tjera
më e vjetra dhe më e reja prej tyre njëkohësisht.
Ajo vetë i lind shkaqet,
që e nxisin të jetojë.
Nëse e zë gjumi, asnjëherë me gjumë të përjetshëm.
Pagjumësia nuk ia merr fuqinë, por ia shton.
Feja jo feja –
veç të ulesh në gjunjë për t’u nisur.
Atdheu jo atdheu –
veç të shkëputesh për të rendur.
Edhe drejtësia nuk është keq në fillim.
Mandej ajo rend vetëm.
Urrejtja. Urrejtja.
Fytyrën asaj ia shpërfytyron ngërdheshja
e ekstazës së dashurisë.

Ah, këto ndjenjat e tjera –
mjerane dhe të ngathëta.
Që kur kjo vëllazëri
mund t’i besojë turmës?
Vallë keqardhja
ka arritur ndonjëherë e para në pikëmbërritje?
Dyshimi sa të dëshiruar tërheq pas vetes?
Vetëm ajo tërheq që e di të vetën.

E aftë, e zgjuar, shumë punëtore.
A duhet thënë sa këngë ka kompozuar.
Sa faqe në librat e historisë ka numëruar.
Sa divane të njerëzve ka shtruar
në aq sheshe, stadiume.

Mos të mashtrohemi:
ajo është në gjendje të krijojë bukuri.
Të shkëlqyera janë vezullimet e saj natën e errët.
Për bukuri shtëllungat nga shpërthime në agim të trëndafiltë.
Vështirë t’u mohosh patosin rrënojave
dhe humorin e shpenguar
kolonës që ngrihet fuqishëm mbi to.

Ajo është mjeshtre e kontrastit
mes rropamës dhe qetësisë,
mes gjakut të kuq dhe dëborës së bardhë.
Veç para së gjithash atë kurrë nuk e mërzit
motivi i xhelatit të pastër
mbi viktimën e njollosur.

E gatshme në çdo çast për detyra të reja.
Nëse duhet të presë, ajo pret.
Thonë se është e verbër. E verbër?
Ajo ka sy të mprehtë snajperi
dhe me guxim sheh drejt të ardhmes
– vetëm ajo.

Të fundit

Të ngjajshme