Varri i lotit tim

24 Tetor, 2019 - 5:30 pm

Poezi nga Shqiponja Duro

Në kopshtin tim. Lakuriq.
Jam ulur në stol.
Në krah është ulur edhe ëndrra ime.
Mbi siluetat tona ka varrur krahët
Një trëndafil i bardhë.
Mbi petalet e tij dhe mbi supet tona bie
Butësisht një shi lotësh.

Sytë e trëndafilit ngjyrë trishtimi
Si dhimbjet e bardha
Drithërohen nga melodia e rënies
Së bulëzave të shiut pa mbarim.

Sinfoni e bukur ky shi!
Bie shi mbi lotët e ëndrrës.

Shikimi im ynë ngrin si mermeri
Te një bulëz shiu që bie përtokë
Mbi një gur gri.

Kjo bulëz shiu, ky lot i ndezur
Ky shi lotësh varur nën sytë e pulëbardhës
Me krahë të prerë nga “humanët”

Në këtë natë të bardhë
Mbi gur gdhendën
Një gropë të hapur
Ku u varrosën lotët tanë
Nën tinguj sinfonie shiu

Të ngjajshme