Vdes ngadalë

16 Shtator, 2021 - 1:31 pm

Poezi nga Martha Medeiros

Vdes ngadalë kush nuk udhëton,
kush nuk lexon, kush nuk dëgjon muzikë,
kush nuk gjen kënaqësi në vetvete.
Vdes ngadalë
kush rrënon dashurinë e vetë,
kush nuk pranon dhe nuk jep ndihmë.
Vdes ngadalë
kush bëhet skllav i zakonit,
duke ecur çdo ditë në të njëjtat shtigje,
kush nuk del nga rutina,
kush nuk rrezikon të vesh një ngjyrë të re,
kush nuk bisedon me dikë që s’e njeh.
Vdes ngadalë
kush shmang një pasion
apo vorbullën e emocioneve;
ato që u rikthejnë shkëlqimin syve,
që ringrenë zemrat e gremisura.
Vdes ngadalë kush nuk ndryshon jetën
kur është i pakënaqur me punën e vet,
kush nuk rrezikon sigurinë me pasigurinë
për të shkuar pas një ëndrre që ia ndalojnë;
lëri këshillat e mençura,
qoftë edhe një herë në jetë…
Jeto sot!
Rreziko sot!
Bëje sot!
Mos vdis ngadalë!
MOS HARRO TË JESH I LUMTUR!

Në shqip nga: Bajram Karabolli. / KultPlus.com

Të ngjajshme