Verë e largët

6 Korrik, 2022 - 12:00 pm

Poezi nga Rozafa Shpuza

Verë e largët

E fundit verë e fëminisë
la mbi pluhnin e rrugicës nji botë
vizatue shtrembët me shkop
dhe nji pantofël hedhun kuturu mbi hatlla…
Trumnajat shtegtare klithën marrisht
mandej ndoqën symbyllun fatin
si tana dashnitë e virgjëna
që u paluen në sepetin e gjyshes
diku nën degërminë e saj të bardhë.
Atë verë iu rrëfeva ditarit. Kësisoj
për djemtë me gjunjë të coptuem
përdora iniciale që kujtesa mënon me m’i çkodue,
kurse nën minder msheha kukllën e pecave,
trill i fantazisë t’burgosun prej televizorit Iliria
me nji antenë asimetrike mbi pullaz
si shenja mbi vetullën e vëllait.
Veç vathët me pe të kuq
përshkue prej zjermit të nji gjylpane cigane
m’i kthejnë jehona e asaj vere të largët…/ KultPlus.com

Të ngjajshme