“Vesi” i burrit

11 Dhjetor, 2018 - 11:20 pm

Poezi nga Flutura Açka.

Më mori malli për “vesin”
e zakonshëm të burrit
mbi trupin tim,
të më zgjojë çlirim.
Në fund të humbjes së arsyes
kur koha t’i humbë vektorët me hapësirën
dhe kujtesa të jetë bërë shuk
në cep të kafkës,
të më thotë me zë shpirti:
Klith,
dua të ta dëgjoj rënkimin!

Më mori malli për “vesin”
e përveçëm të burrit,
të më pushtojë
e të harrojë gjer tani
me trupat tanë çka ngjarë
dhe të më thotë sërish:
Sot të desha si kurrë më parë!

Se jemi njerëz
dhe njeriu ka nevojë për njerëzoren;
se kemi arsye
dhe shpesh arsyet verbohen.

Më mori malli për “vesin” e burrit,
të burrit që dua
dhe e kërkon “vesin” pa drojë në mua./KultPlus.com

Të ngjajshme