Vjersha e Plator Gashit është vënë në disa bilborde publike në Itali

9 Shtator, 2025 - 2:18 pm

Artisti, Plator Gashi ka njoftuar se një vjershë e tij e përkthyer në italisht është vënë në disa bilborde publike në komunën Anacapri të ishullit Capri dhe në Napoli të Italisë.

Postimi i plotë:

“Me shumë ngazëllim ju njoftoj që, si pjesë instalacionit publik “Manifesto | Blue With No Sky” nga Sislej Xhafa për Festival Del Paessagio Anacapri 2025, një vjershë e imja e vockël e përkthyer në italisht është vënë në disa bilborde publike në komunën Anacapri të ishullit Capri dhe në Napoli të Italisë. I jam shumë falënderues Sislejt që ma dha mundësinë të jem pjesë e këtij instalacioni tepër të bukur, ku po ashtu shfaqen edhe vargjet e poetëve Sarandë Haziri, Hortense Raynal, Luigi Socci, Ali Podrimja.

Kur i shoh fjalët e mia me shkrim kaq të madh e kaq të ekspozuara, edhe gëzohem, edhe frikësohem. Thjesht kam shpresë që kushdo që i sheh, të nxitet të reflektojë mbi brishtësinë, shkurtësinë bukurinë e përvojave tona. Këto vargje, pra, i kushtohen dritëzës shumëngjyrshe mes asaj hapjes e mbylljes së beftë të syve që e quajmë jetë.

“Napule è mille culure” (Napoli është një mijë ngjyra) këndonte Pino Daniele. Për këdo që ka qenë aty, ky refren është i qartë si loti. Sikur këto fjalë të mia të mbeten hiç më shumë se një njollëz e zbehtë, e parëndësishme dhe ymërshkurtër në atë qytet njëmijëngjyresh, do të ma bëhej zemra mal.

Ekspozita themelore Festival del Paessagio do të jetë hapur nga 7 shtatori deri më 3 nëntor në Villa San Michele, Anacapri. Xhafa do të paraqitet me një vepër të dytë të titulluar “The Flag Project | Rusted Breath”, e cila do të shfaqet në kopshtin hyrës të Vilës nga 5 shtatori. Hapja është nesër më 6 shtator. Për më shumë informata, shihni edhe http://www.festivaldelpaesaggio.com/./ KultPlus.com

Të ngjajshme