Vjershë Babait

8 Korrik, 2018 - 9:48 pm

Shpëtim Selmani

Babai im ishte një lum i rrëmbyeshëm
Që derdhej në hënë. Por para
Se të gjithash ishte punëtor i madh.
Gjatë tërë jetës së tij kishte punuar me home phone,
Duke dashuruar paqebërësit, gjumin dhe
Lajmet e mbrëmjes në Tv.
Ai shpëtoi në luftë,
Kur bashkë me ushtarët sërb kishin bërë një marrëveshje,
Që ta hapin një varr të madh. Me duar.
Si kafshë të cuditshme. Për të. Por.
Nganjëherë zogjtë janë cool dhe zoti i ngjan
Një njeriu që na ndihmon. Dhe për këtë arsye
Babai im ndonjëherë fliste me mjegullën, me shiun
Dhe me stuhitë dhe me vesën e mëngjesit,
Faleminderit, faleminderit, faleminderit,
Kur kthehej nga puna dukej si një gjigant i lodhur,
Hante, I bërtiste nënës time sepse ishte shumë nazeli,
Eh, jetë o jetë,
Tash që ka vdekur, shihja shtëpinë e vjetër në mënyrë
Që ta kujtoja ngase për mua është e shumë e vështirë
Të mendojë mbi dicka nëse nuk gjej një shkak,
Dhe po. Një kapelë e vjetër. Varur në mur.
Në dhomën e tij ku dikur ishte martuar.
Një kapelë e vjetër. Mbushur me myk.
Dhe me merimanga.
Kapelja e babait tim.
Vetë ai.
Dhe zoti që qesh.

Të ngjajshme