Aktori Depp dëshmon në gjykatë: Qëndrova në martesë problematike ashtu si babai im

20 Prill, 2022 - 10:15 pm

Johnny Depp ka deklaruar se ka qëndruar në martesën e tij problematike me Amber Heard, para se ajo të hidhte akuza ndaj tij për dhunë, sepse “donte që ta bënte martesën të funksiononte”.

Gjatë dëshmisë së tij të mërkurën në Fairfax të Vixhinias, aktori 58-vjeçar ka deklaruar se ish-bashkëshortja 35-vjeçare e sulmonte atë gjatë periudhave frustruese të saj.

“Mund të niste me një shuplakë, me një të shtyrë, me gjuajtjen e telekomandës në kokën time”, ka thënë Depp duke shtuar se sjellja e Heardit ishte e pandryshueshme.

I pyetur nga gjykatësi se përse nuk e ka lënë Heardin gjatë kohës së abuzimit të supozuar, Depp ka thënë se kjo do të ishte “një përgjigje e komplikuar”, duke shtuar se është munduar të veprojë njëjtë si babai i tij dikur, shkruan People, transmeton Koha.net.

“Pse vazhdova? Mendoj se arsyeja është sepse babai im ka qëndruar në martesën e tij abuzive, dhe unë nuk doja të dështoja. Doja të mundohesha ta bëja atë që të funksiononte. Mendoja se ndoshta mund ta ndihmoj atë. Mendoja se mund ta sillja në vete. Sepse Amber Heard që e njoha vitin e parë, një vit e gjysmë më pas nuk ishte kjo, papritur e kundërta. Nuk ishte kjo vajza ime, ajo u bë kundërshtarja ime”, tha Depp.

Aktori i famshëm hollivudian ka qenë i martuar më parë me Lori Anne Allison, nga viti 1983 deri më 1985. Ai ka qenë po ashtu për një kohë të gjatë në lidhje me aktoren Vannessa Paradis, me të cilën ka edhe dy fëmijë: Lily-Rose Depp dhe Jack Depp.

Johnny Depp edhe motra e tij më e madhe, Christi Dembroëski kanë dhënë dëshmi për nënën e tyre, e cila ka qenë abuzive gjatë fëmijërisë së tyre e po ashtu ndaj babait të tyre.

Aktori ka paditur Heardin për shpifje në lidhje me një shkrim të vitit 2018 që ajo shkroi për “Washington Post” për mbijetimin e dhunës në familje, megjithëse ajo nuk e përmendi Deppin me emër në artikull.

Depp ngriti padinë duke kërkuar 50 milionë dollarë dëmshpërblim në mars të vitit 2019.

Heard nuk ka marrë ende qëndrim në këtë çështje gjyqësore. Gjatë deklaratave hapëse javën e kaluar, avokati i saj Ben Rottenborn tha se provat do të tregojnë se ajo është abuzuar nga Depp duke përfshirë dhunën fizike, emocionale, verbale, psikologjike, madje edhe dhunën seksuale.

Heard dhe Depp janë njohur gjatë xhirimeve të filmit “The Rum Diary” në vitin 2011 dhe u martuan në vitin 2015. Ata janë ndarë në maj të vitit 2016, pasi Heard lëshoi një varg akuzash ndaj tij, për abuzim mirëpo Depp i mohoi ato.

Në nëntor të vitit 2020, Depp humbi padinë e tij për shpifje në Mbretërinë e Bashkuar kundër tabloidit britanik “The Sun”, pasi e quajti atë një “rrahës të gruas”. Gjykata mbështeti pretendimet e gazetës si “thelbësisht të vërteta” dhe Heard dëshmoi për të mbështetur pretendimet. Në mars të vitit 2021, përpjekja e tij për të rrëzuar vendimin u anulua. / KultPlus.com

Të ngjajshme